Një gjetje arkeologjike në truallin e Kosovës së sotme, ndryshe të Dardanisë antike, mund të dëshmojë se punimet e zejtarëve të Dardanisë antike mund të jenë përdorur në Luftën e Trojës.
Një studiues serb T.P. Vukanoviq, në “Lajmëtarin e Vranjës” libri i VIII, Vranjë, 1972 faqe 51-60, në gjuhën frënge, na bën me dije se në vitin 1930, në rrethin e Istogut (Burimit të sotëm) të Kosovës, është gjetur një varëse me kokën e derrit të egër me dhëmbin e tij të syrit.
 Varësja me kokën dhe dhëmbin e syrit të derrit të egër, e zbuluar në Kosovë
| Kjo varëse me hark (simbolizim i dhëmbit të syrit) dhe feçkë të derrit të egër është e gjatë 15 cm. Lartësia e kokës në zonën e veshëve është 2.5 cm. Feçka (turiri) ka formë ovale 1 x 1 cm, ndërsa distanca në mes të feçkës dhe veshëve është 2.5 cm. Kjo gjetje është e bronztë dhe nuk na është i njohur vendi ku ruhet.
Duke lexuar Iliadën e Homerit, botim i dytë i ripunuar, përkthim i Gjon Shllakut, SH.B.”Naim Frashëri”, Tiranë, 1979, kënga e X- rreshtat 304-316, na bëjnë me dije se një luftëtar në Luftën e Trojës, në helmetën e tij ka bartur një ornament me kokën dhe dhëmbin e syrit të derrit të egër.
Këtyre gjërave ua shtojmë edhe pohimin e Aristidh P. Kolës, nga libri i tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, SH.B. “55”, Tiranë, 2002, se …Dardanët janë të njohur për zotësinë në përpunimin e metaleve…( faqe 207), dhe, se … Eriktoni-djali i dytë i Dardanit, pasi merr qytetin Ili nga i vëllai Ili, i cili nuk kishte trashëgimtar, në Dardani preu monedhat e para, sepse Dardania ishte vend i pasur me xehe… (faqe 74).
Këtij pohimi i dalin në ndihmë edhe shumë emërtime vendesh në Kosovë, të cilat dëshmojnë se në këto vende është përpunuar xeheja. Këto emërtime: Samakova janë në gjuhën serbe, që vjen nga fjalët serbe: sam=vetë dhe kova-ti=farkim, që do të thotë vetëfarkim. Pse ky emërtim është në gjuhën serbe, nuk po e elaborojmë, sepse dihet se sa vjet Kosova u sundua nga të huajt. Këto të dhëna si dhe emri i grykës së Dardaneleve, mund të shpiejnë te konstatimi, se Dardanët e lashtë ishin në Trojë, morën pjesë në Luftën e Trojës, dhe, edhe mjetet e luftës i kishin punuar vetë, madje edhe u kishin shitur të tjerëve.
Fotografia e varëses, besëtytnia se dhëmbi i syrit të derrit të egër mbron luftëtarët në luftë dhe fëmijët nga “syri i keq” që është prezent ndër popuj të Ballkanit, edhe këto të dhëna, duhet të nxisin arkeologët dhe historianët e artit për të gjurmuar edhe më tej në këtë drejtim.
Ukshin Zajmi- Gjilan
|