I. MARRËVESHJA E DEJTONIT
Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë pas vdekjes së Josip Broz Titos me hapa të shpejtë filloi të shkatërrohej. Definicionin tim se Jugosllavia e Titos ishte artificiale e dëshmon largimi i njëpasnjëshëm i njësive federale nga kjo krijesë. Kur Republika e Sllovenisë dhe Republika e Kroacisë u larguan nga shteti artificial i Titos, Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës mbajti një referendum për pavarësinë e saj. Me 29 shkurt dhe 1 mars të vitit 1992 Boshnjakët dhe Kroatët, të cilët ishin më të pranishëm në referendum, përkrahën largimin dhe mëvetësimin e republikës nga federata, kurse serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës e bojkotuan referendumin. Pas këtij referendumi të organizuar sipas standardeve të kërkuara nga Bashkësia ndërkombëtare, kuvendi kombëtar shpalli mëvetësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Pas shpalljes së pavarësisë në Bosnje-Hercegovinë filloi lufta, në të cilën në njërën anë ishte qeveria boshnjake në Sarajevë, e në anën tjetër hapësira të ndara me shumicën serbe e cila do të formonte “shtetin” e tyre me emrin “Republika Serbe”.
Rreth katër vite pas një lufte të ashpër e tmerrësisht të përgjakshme dhe pas një mori dështimesh të përpjekjeve ndërkombëtare për marrëveshje mes anëve në konflikt, Shtetet e Bashkuara filluan një nismë të re në nëntorin e vitit 1995.
Me 1 nëntor të vitit 1995, në bazën e forcave ajrore Wright-Patterson, qyteti i Dayton- it i shtetit të Ohio-së në SHBA, filluan negociatat në mes të palëve në konflikt nën patronatin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Palët ndërluftuese përfaqësoheshin nga: presidenti i Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës z.Alija Izetbegoviq, presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë z.Sllobodan Millosheviq si dhe presidenti i Republikës së Kroacisë z.Franjo Tuxhman. Negociatat i udhëhiqte diplomati amerikan Richard Holbrook
[1], ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e BE dhe Grupit të Kontaktit si: Mbretëria e Bashkuar e Britanisë dhe Irlandës Veriore, Republika e Francës, Republika Federale e Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federata Ruse.
Negociatat filluan, por në teren tingujt e dialogut nuk u dëgjuan për më shumë se tri javë prej ditës së parë të dialogimit. Bosnja dhe Hercegovina mbrohej nga agresioni i tmerrshëm nga jashtë si dhe nga serbo-çetnikët e “shtetit” të emëruar “Republika Serbe” në BeH. Krerët e palëve në konflikt diskutonin për një vend i cili po përjetonte tragjedinë më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore.
Bosnja dhe Hercegovina prej 01 nëntorit e deri me 21 nëntor të vitit 1995 po mbrohej në dy fronte, në atë me pushkë në teren si dhe në atë me laps në Ohio të SHBA-ve. I akuzuari dhe i pa gjykuari nga ana e Tribunalit për krime të luftës në ish-Jugosllavi, presidenti i Jugosllavisë së mbetur, serbi Sllobodan Millosheviq pa kompromis po kërkonte legalizimin e territorit gjenocidial të quajtur “Republika Serbe”, arkitekt i së cilës ishte i akuzuari Radovan Karaxhiq
[2].
Tre javë negociata të lodhshme për BeH, u përfunduan me inicimin e Marrëveshjes për Paqe e njohur si Marrëveshja e Dejtonit për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë. Me 21 nëntor 1995 u vendosen siglat e palëve në konflikt, ndërsa krerët ndërkombëtarë që ndoqën ceremoninë e nënshkrimit përfshinë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Butros Butros-Gali, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Havier Solana, Presidentin e SHBA Bill Klinton, Presidentin francez Zhak Shirak, Kryeministrin anglez Xhon Mejxhër, Kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe Kryeministrin rus Viktor Çernomërdin. BE përfaqësohej nga Karl Bildt.
Marrëveshja e Dejtonit hoqi
Republikën e Bosnjë dhe Hercegovinës, e krijoj
Republikën Serbe, kundrejt entitetit të instaluar të quajtur
Federata e BeH, plus një korridor të emëruar Distrikti i Bërçkos
[3]. Kjo marrëveshje e përmbushi objektivin e saj nga se ndaloi agresionin dhe luftën e tmerrshme ndaj Bosnje-Hercegovinës, ndaloi gjakderdhjet, por krijoi strukturën dhe sistemin më kompleks që ka parë ndonjëherë historia e sistemeve politike.
Në dokumentin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë të nënshkruar nga presidenti i Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës z.Alija Izetbegoviq, presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë z.Sllobodan Millosheviq si dhe presidenti i Republikës së Kroacisë z.Franjo Tuxhman thuhet se: “Republika e Bosnje-Hercegovinës, Republika e Kroacisë dhe Republika Federale e Jugosllavisë, duke njohur nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ndalohet konflikti tragjik në rajon, duke dashur t´i kontribuojnë këtij synimi dhe të promovojnë paqe dhe stabilitet të vazhdueshëm, duke vërtetuar angazhimin për marrëveshjen e principeve themelore të mbajtura me 8 shtator 1995, në vazhdim me marrëveshjen e principeve themelore të mbajtura me 26 shtator 1995 dhe marrëveshjen për ndalimin e luftës të 14 shtatorit e 5 tetorit të vitit 1995, duke pranuar të njohur marrëveshjen e 29 gushtit 1995 e cila i autorizon delegacionin e Republikës Federal të Jugosllavisë që në emër të Republikës Serbe të nënshkruajë pjesët nga plani i marrëveshjes të cilat lidhen me Republikën Serbe, me obligimin që të implementojë rreptësisht marrëveshjen e aprovuar. Pajtohen që...:
[4]”
Marrëveshja e Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë ka njëmbëdhjetë nene të obliguara të cilat ndiqen nga njëmbëdhjetë Anekse sipas të cilave është rregulluar struktura dhe sistemi politik i Bosnje-Hercegovinës. Neni tre i Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë thotë: “Palët i përshëndesin dhe i pranojnë aranzhimet e bëra në lidhje me kufizimet në mes dy entiteteve: Federatës së BeH dhe Republikës Serbe, siç është paraparë me Aneksin II.
[5]” Kurse në nenin dhjetë thuhet: “Republika Federale e Jugosllavisë dhe Republika e Bosnje-Hercegovinës e njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane brenda kufijve ndërkombëtar.
[6]”
Sot, trembëdhjetë vjet më vonë, asnjë nga nënshkruesit e marrëveshjes nuk është gjallë, dokumenti origjinal është humbur, ndërsa politikanët në BeH edhe mëtej debatojnë për revizionin e tij
[7].
II. ANEKSI I IV – KUSHTETUTA E BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS
Kushtetuta aktuale e shtetit të Bosnje-Hercegovinës rrjedh dhe është pjesë e pa ndashme e Marrëveshjes së Dejtonit. Siç e thamë edhe më lartë, marrëveshja e arritur me 21 nëntor të vitit 1995 në shtetin e Ohio-së përmban XI Anekse, mes tyre Aneksi IV paraqet Kushtetutën e shtetit të Bosnje-Hercegovinës.
Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës ka preambulën, e cila jep arsyet e ekzistimit të kësaj Kushtetute dhe i dedikohet paqes, drejtësisë, tolerancës dhe pajtimit. Pa hamendje mund të themi se kjo është një Kushtetutë e shkurtër e cila përmban XII nene si dhe dy Anekse shtesë.
Neni I, pika 1. e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës shpjegon vazhdimësinë e Republikës së Bosnje-Hercegovinës dhe thuhet se: “Republika e Bosnje-Hercegovinës, emri i të cilës prej tani është “Bosnja dhe Hercegovina”, vazhdon ekzistimin juridik të saj sipas të drejtës ndërkombëtare si shtet, me strukturën e brendshme të modifikuar me këtë Kushtetutë, dhe me kufijtë aktualë të pranuar ndërkombëtarisht. Ajo ngel anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe mundet si Bosnje dhe Hercegovinë të mbajë anëtarësimin ose të kërkojë pranim në organizata brenda Kombeve të Bashkuara, si dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.”
[8] Tek po i njëjti nen, pika 3 është e detajuar se çfarë përmbajtje dhe modifikimi të brendshëm ka pësuar me Marrëveshjen e Dejtonit Bosnje-Hercegovina. Tek kjo pikë thuhet: “Bosnja dhe Hercegovina është e përbërë nga dy entitete
[9]: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Serbe”.
Kompetencat dhe marrëdhëniet në mes të institucioneve të Bosnje-Hercegovinës dhe entiteteve janë decidivisht të rregulluara në nenin III. të Kushtetutës. Pika 1. e këtij neni numëron kompetencat e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës sipas radhitjes: “a). Politika e jashtme, b). Politika e tregtisë së jashtme, c). Politika kufitare, d). Politika monetare, e). Financimi i institucioneve dhe obligimet ndërkombëtare të Bosnje-Hercegovinës, f). Politika dhe rregullimi i çështjeve të imigracionit, refugjatëve dhe azilit, g). Administrimin ndërkombëtar dhe mes entiteteve i rregullave të së drejtës sipas ligjeve të parapara, duke futur edhe marrëdhëniet me Interpolin, h). Vendosjen dhe funksionimin e përbashkët dhe ndërkombëtar të mjeteve të komunikimit, i). Rregullimin e transportit mes entiteteve dhe j). Kontrollin e komunikacionit ajror.”
[10] Kompetencat e entiteteve të Bosnje-Hercegovinës po ashtu janë të rregulluara në nenin III. tek pika 2. e Kushtetutës së këtij shteti. “Entitetet
[11] kanë të drejt të vendosin marrëdhënie të veçanta paralele me shtetet fqinje, në pajtim me sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.”
[12]Marrëdhëniet brenda shtetit të Bosnje-Hercegovinës i koordinon presidenca sipas rregullimit kushtetues.
Shteti i Bosnje-Hercegovinës sipas Kushtetutës ka Asamblenë Parlamentare e cila është bikamerale, e përbërë nga: Dhoma e popullit dhe Dhoma e përfaqësuesve. Neni IV, pika 1. parasheh që Dhoma e popullit do të përbëhet nga 15 delegat, prej të cilëve dy të tretat janë nga Federata dhe një e treta nga Republika Serbe. Dhoma e përfaqësuesve përbëhet nga 42 delegatë, prej të cilëve dy të tretat zgjidhen nga Federata kurse një e treta nga Republika Serbe. Më detajisht do të bëhet fjalë kur të studiojmë sistemin politik të këtij shteti.
Neni V. përcakton rolin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, e cila është tre anëtarëshe me kohë tetë mujore rotacioni. Pika 4. e po të njëjtit nen shpjegon rolin e Këshillit të ministrave, ndërsa pika 5. Komitetet permanente.
Në këtë Kushtetutë të miratuar në Dejton të shtetit të Ohio-së në nëntorin e vitit 1995 flitet edhe për: Gjyqin Kushtetues, Bankën Qendrore e Financat. Brenda Aneksit të IV të Marrëveshjes së Dejtonit të njohur si Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës janë instaluar edhe dy Anekse të cilat shqyrtojnë, Marrëveshjet shtesë mbi të drejtat e njeriut të cilat do të aplikohen në Bosnje-Hercegovinë si dhe Rregullat kalimtare.