Herët e vonë do të ndodhë një gjëmë me prejardhje kozmike e cila do të shfarosë pothuajse krejt jetën në Tokë.
Sipas Dr Arnon Dar, të Technion Space Research Institute në Izrael, një lloj i veçantë ylli shpërthyes që mund të shuhet në cilëndo pjesë të rajonit tonë të Gjithësisë mund ta shkretonte edhe planetin tonë.
Duke u bazuar në statistikat më të fundit dhe në llogaritje, ai ka arritur në përfundimin se një yll tejetmasiv, të cilët janë të shpërndarë gjatë gjithë galaksisë sonë, që do të shembej brenda vetvetes në fundin e jetës së tij do të krijonte një gropë të zezë dhe dërgonte një tufë drite rrezatimi shkatërrues (rrezesh gama) si dhe kokrriza që do të shterpëronin çdo planet që do të hasnin në rrugën e tyre.
Meqënëse rrezet gama, të çliruara prej shembjes së yjeve tejetmasivë, janë të vërtitur në kozmos në tufa të ngushta, ndoshta jo më tepër se një gradë të gjëra, pjesa më e madhe e tyre do t´i shkajnë Tokës.
Sidoqoftë gjasat janë që çdo planet i galaksisë sonë të rrokej nga këto rreze përafërsisht një herë në çdo njëqindmilionë vjet. Dr Dar thotë se kjo përputhet me shkallët kohore të regjistruara në gjeologjinë tokësore mbi shfarosjet që kanë ndodhur në masë të qenieve të gjalla të mëparshme. Këto shfarosje kanë ndodhur pas një derdhjeje rrezatimi të ardhur nga hapësira.
Rrezet kozmike janë kokrriza të ngarkuara me një sasi të madhe energjie që udhëtojnë nëpër hapësirë me një shpejtësi pothuajse të barabartë me atë të dritës. Kur këto do të përplaseshin në atmosferën e Tokës do të çlironin sasi tepër të mëdha energjie duke krijuar një mizëri kokrrizash "bijë" tepër shkatërruese. Këto kokrriza, të quajtura ndryshe muone, do të ishin në gjendje të depërtonin disa qindra metra përbrenda shkëmbijve tokësorë si dhe deri në thellësi të detit.
Pak çaste pas mbërritjes së rrezatimit nga thellësitë e hapësirës, temperatura atmosferike do të niste të rritej me të shpejtë, ekosistemi i tokës do të shkatërrohej. Pak shpresa do të kishte edhe për ata që mund të kishin shpëtuar të fshehur në shpella të thella pasi do të kishin të bënin me një planet të shkatërruar.
Tani për tani, astronomët nuk e dinë se cilit yll t´u vënë syrin. Yje, si tejetmasivi Eta Carinae, që mund të shihet me sy në Hemisferën e Jugut, i kanë gjasat e mëdha të shpërthejnë duke lëshuar rreze gama në këto një miljonë vjetët që do të vijnë. Por pikërisht rrezet e këtij ylli nuk priten të vijnë në drejtimin tonë. Por patjetër që ka një yll rrezet e të cilit do të vijnë për nga ne, por astronomët nuk e kanë gjetur akoma.
Përgatiti Alvin Ekmekçiu
Burimi : BBC
Vë re! Respekto punën tonë ! Mos përdor shkrimet e kësaj reviste pa lejen tonë dhe pa vënë në dukje se puna e kujt është !
|